Epiri
From Wikipedia, the free encyclopedia
Epiri (Trajta e pashquar: Epir; Greqishtja e lashtë: Ήπειρος, "tokë") është një rajon historik dhe gjeografik i pozicionuar në jug-perëndim të gadishullit të Ballkanit. Në veri shtrihet nga Malësia e Akrokerauneve deri në Gjirin e Ambrakisë në jug dhe nga Malet e Pindit në lindje deri në Detin Jon në perëndim.[1] Sipas ndarjes territoriale aktuale Epiri ndahet mes qarqeve Gjirokastër dhe Berat në jug të Shqipërisë dhe periferisë së Epirit në Greqinë veri-perëndimore. Qyteti më i madh i Epirit është Janina, kryeqendër e periferisë së Epirit, ndërsa Gjirokastra është qyteti më i madh i Epirit në pjesën e Shqipërisë.[1]
Si një rajon i ashpër dhe malor, Epiri shtrihej në skajin jugor të Ilirisë. Banohej nga fiset ilire ku më kryesoret ishin Molosët, Thesprotët dhe Kaonët. Në Epir gjendej faltorja e Dodonës, orakulli më prestigjioz në botën antike pas Delfit. Pasi Epiri u bashkua në një shtet të vetëm në vitin 370 p. e. s. nga dinastia Aeacidae, Epiri u fuqizua më tej në kohën e Pirros së Epirit, i cili ndërmori fushata ushtarake kundër Romës nga ku ka origjinën edhe termi "Fitorja e Pirros". Në vitin 146 p. e. s. Epri, bashkë me pjesën tjetër të Ilirë ra nën pushtimin e Perandorisë Romake, e më pas nën pushtetin e Perandorisë Bizantine. Pas rënie së Kostandinopojës në Kryqëzatën e katërt, Epiri u bë qendër e Despotatit të Epirit, një nga shtetet trashëgimtare të Perandorisë Bizantine dhe Despotati shqiptar të Nartës. U pushtua nga Perandoria Osmane në shekullin XV. Gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës në shekullin XIX, Epiri si pjesë e Pashallëkut të Janinës u bë territor autonom, por osmanët rimorën kontrollin e tij në vitin 1821. Pas Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, pjesa jugore e Epiri u bë pjesë e Greqisë, ndërsa pjesa veriore e Epirit u bë pjesë e shtetit të sapokrijuar të Shqipërisë.