Avokati i Popullit (Shqipëri)
From Wikipedia, the free encyclopedia
Avokati i Popullit shqyrton ankesat ose kërkesat: ndaj organeve të administratës qendrore, pushtetit vendor dhe të tretëve që veprojnë për llogari të tyre, ndaj policisë, shërbimit sekret, burgjeve, forcave të armatosura dhe pushtetit gjyqësor si dhe ankesa apo kërkesa të tjera që nuk përfshihen në dy seksionet me sipër, bashkëpunon me organizatat joqeveritare si dhe bën studime në fushën e zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Njësia për Parandalimin e Torturës merret me inspektimet dhe vizitat në ambientet ku është privuar liria e individit, me qëllimin për të parandaluar rastet e torturës apo dënimeve të tjera çnjerëzore dhe degraduese.
Institucioni i Avokatit të Popullit është parashikuar për herë të parë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, miratuar me referendum më 28 nëntor 1998.
Kushtetuta, në pjesën e saj të dytë, në katër nene, 60 deri 63, përcakton funksionin, parimet e veprimtarisë, statusin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, kurse në nenin 134, pika “dh” përcakton të drejtën e Avokatit të Popullit për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Ligji përkatës nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit” u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të vitit 1999. Ky ligj është hartuar duke pasur parasysh legjislacionin e vendeve të tjera të Evropës, të cilët e kanë krijuar më parë një Institucion të tillë. Pas ndryshimeve të bëra në Ligjin “Për Avokatin e Popullit”, në maj 2005, ky ligj mund të konsiderohet një nga ligjet më të mira në Evropë përsa u përket çështjeve të juridiksionit dhe kompetencave të Avokatit të Popullit.
Kodi i Procedurave Administrative, ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, ligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” si dhe ligji “Për mbrojtjen e Konsumatorit”, përbëjnë bazën ligjore, ku përcaktohen thuajse të gjitha të drejtat dhe detyrat funksionale të Avokatit të Popullit.
Juridiksioni i Avokatit të Popullit është mjaft i gjerë. Sipas nenit 60 të Kushtetutës dhe nenit 2 të ligjit përkatës, Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike ose të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Juridiksioni i tij përfshin Qeverinë, ministritë, institucione të tjera qendrore, siç janë Shërbimet Sekrete, Banka Kombëtare dhe Bankat me pjesëmarrje kapitali shtetëror, Entet Publike etj; organet e pushtetit vendor, ku përfshihen prefekturat, qarqet, bashkitë, komunat si dhe ato institucione apo autoritete publike që veprojnë për llogari të këtyre organeve të administratës publike dhe institucionet në varësi të tyre në qendër dhe rrethe.
Në rubrikën përkatëse do të gjeni bazën ligjore, mbi të cilën bazohet veprimtaria e Avokatit të Popullit.